Një ditë pasi gazetari Elton Tozaj ngriti alarmin për praninë e malaries në Shqipëri, sot vjen konfirmimi për rastin e parë të kësaj sëmundjeje në vend.
Më 17 nëntor, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tozaj deklaroi: “Ka rënë malaria në Shqipëri”, duke pretenduar se persona të infektuar ndodheshin në Spitalin Infektiv dhe në spitale rajonale. Denoncimi i tij tërhoqi vëmendjen, ndërsa vetëm një ditë më pas është raportuar zyrtarisht rasti i parë i konfirmuar.
Sipas raportimit të Top Channel, të publikuar këtë të mërkurë, bëhet fjalë për një shtetas të huaj, i cili është diagnostikuar me malarie dhe ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë QSUT-së. Pacienti është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin përkatës.
Ndërkohë, dyshohet edhe për një person tjetër të prekur nga kjo sëmundje, por rasti ende nuk është konfirmuar.
Lajmi rikthen në vëmendje paralajmërimin e bërë nga Tozaj një ditë më parë, megjithëse pretendimet e tij për persona të tjerë të infektuar në spitale rajonale nuk janë konfirmuar deri më tani.
Malaria është një sëmundje infektive që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Ajo mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të dridhura dhe dhimbje koke, ndërsa në rastet e patrajtuara mund të sjellë komplikacione serioze.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, Shqipëria prej dekadash nuk konsiderohet zonë me transmetim endemik të malaries, ndërsa rastet e regjistruara ndër vite kanë qenë kryesisht të importuara.

