Shkruar nga: Redaksia Bling Magazine
Le ta themi pa rrotulla.
Siç janë parë nga i gjithë publiku, videot që po qarkullojnë janë autentike, gazetari që i posedon ka dalë publikisht me zë dhe figurë dhe nuk kemi të bëjmë me një histori të sajuar dhe as me një “skandal” të prodhuar nga rrjetet sociale. Kemi pamje reale të artisteve reale, disa prej të cilave sot konsiderohen ndër emrat më të njohur të muzikës shqiptare.
Dhe po, filmimi pa dijeni dhe shpërndarja e pamjeve intime është e dënueshme. Për këtë nuk ka asnjë diskutim. Por ajo që më shqetëson është se disa reagime po përpiqen ta mbyllin të gjithë debatin pikërisht këtu: “Është jeta e tyre intime”.
Jo. Jo kaq thjesht.
Nëse pas këtyre marrëdhënieve ka pasur një shkëmbim të favoreve seksuale me mundësi profesionale, këngë, hite apo avancim në karrierë, atëherë kjo nuk është thjesht një çështje intime. Është një çështje pushteti, interesi dhe meritokracie. Dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk e kuptojmë ndryshimin.
Një grua mund të bëjë çfarë të dojë në jetën e saj private. Por kur seksi bëhet rrugë për të marrë atë që një tjetër përpiqet ta fitojë me zërin, talentin, punën dhe vitet e sakrificës, atëherë nuk është thjesht jeta e saj private. Më vjen keq, por nuk mund ta quajmë këtë një fenomen që duhet thjesht të mbrohet në emër të “privatësisë”. Privatësia duhet mbrojtur. Por nuk duhet mbrojtur edhe normalizimi i favoreve seksuale si mekanizëm karriere.
Dhe po, përgjegjësi morale ka edhe tek ata që zgjedhin këtë rrugë. Sepse në një industri ku mijëra të rinj përpiqen të bëjnë emër me talentin e tyre, të zgjedhësh rrugën e favoreve për të kapërcyer të tjerët nuk është diçka që unë mund ta duartrokas apo ta justifikoj.
Por përgjegjësia më e madhe është e atij që ka ‘pushtetin’. Sepse një kompozitor, producent apo figurë me ndikim që mund të vendosë se kush merr një këngë, një hit apo një mundësi profesionale ka një avantazh që një artiste e re nuk e ka. Dhe pikërisht për këtë arsye më shqetëson edhe reagimi i atyre që zgjedhin ta reduktojnë gjithë historinë në: “Mos i gjykoni, është jeta e tyre intime”.
Jo, Ori. Dhe jo për të gjithë të tjerët që mbajnë të njëjtin qëndrim.
Nuk po gjykojmë faktin që një grua ka marrëdhënie seksuale. Po diskutojmë çfarë ndodh kur seksi pretendohet se bëhet pjesë e një marrëveshjeje të heshtur për karrierë.
Dhe kjo është një diferencë shumë e madhe.
Sepse ndërsa ne i themi një vajze me talent: “Puno, mëso, stërvitu, shkruaj, këndo, prit radhën tënde”, nuk mund t’i themi në të njëjtën kohë: “Nëse gjen rrugën e shkurtër përmes favoreve, mos e diskutoni sepse është thjesht jeta jote private”.
Dhe refuzoj ta normalizoj.
Nuk më intereson nëse personat në këto histori janë sot diva, yje apo emra të mëdhenj. Fama e sotme nuk e ndryshon mënyrën se si është ndërtuar një karrierë, nëse një ditë provohet se pas saj ka pasur favore të tilla.
Dhe po aq sa dënoj publikimin e pamjeve intime pa pëlqim, dënoj edhe idenë se duhet të heshtim përballë një sistemi ku trupi mund të kthehet në monedhë për sukses.
Privatësia mbrohet. Por talenti nuk duhet të zëvendësohet nga favoret. Dhe kushdo që e quan këtë “normale”, në vend që të ngrejë pyetje mbi meritën, për ne po i bën një shërbim shumë të keq një industrie që duhet të shpërblejë talentin, jo kompromisin.

