Nisur nga deklarata e fundit e Elton Ilirjanit lidhur me këngët konkurruese në Festivalin e Këngës dhe veçanërisht pohimi i tij se fituesi tashmë është përzgjedhur, po marrim ‘guximin’ të shprehim edhe ne një mendim krejtësisht të sinqertë, absolutisht të paanshëm… ose të paktën më të paanshëm sa çdo opinion publik që shfaqet çdo vit në prag festivalesh.
Sepse, le ta pranojmë: ideja se “fituesi dihet” nuk është aspak e re. Madje është ndoshta ‘kënga’ më e dëgjuar e çdo edicioni të Festivalit të Këngës dhe e çdo kompeticioni muzikor në Shqipëri. Ndryshojnë artistët, ndryshojnë juritë, por refreni mbetet i njëjtë.
Në deklaratën e tij, Ilirjani shprehet se kënga e Alis, që trajton temën e emigracionit, nuk është tematika e duhur për përfaqësimin në Eurovision. Një qëndrim interesant, për të mos thënë paradoksal, sidomos po të marrim parasysh se emigracioni është ndër temat më universale, më aktuale dhe më të diskutuara jo vetëm në Evropë e Ballkan, por globalisht.
Ironia bëhet edhe më e dukshme kur kujtojmë se vetë Ilirjani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend ku artistë të kalibrit botëror kanë dalë hapur në mbrojtje të emigrantëve, duke e kthyer këtë temë në një kauzë kulturore, sociale dhe artistike. Madje, vetëm së fundmi, zgjedhja e kryetarit të Bashkisë së New York-ut mori jehonë ndërkombëtare pikërisht për shkak të një fjalimi të fuqishëm mbi emigracionin dhe rolin e tij në identitetin amerikan.
Gjithsesi, duket se hapësira e mendimit “të amerikanizuar” funksionon vetëm kur është e leverdishme. Përndryshe, mendimet globalizohen ose ‘shqiptarizohen’ sipas nevojës së momentit.
Në këtë pikë, mund të duket sikur po mbrojmë Alis. Në fakt, informacioni që kemi për të është minimal: një artist i ri, i dalë nga një konkurs televiziv muzikor, me një zë që, objektivisht, bie në sy. As më shumë, as më pak.
Ilirjani hedh gjithashtu dyshime për një plagjiaturë të mundshme, një pretendim që nuk mund ta vërtetojmë dot, por që duket se është kërkuar me lupë, ndoshta për të gjetur ndonjë argument që forcon një mendim tashmë të ndërtuar.
Padiskutim, ideja e një fituesi të paracaktuar do të ishte absurde dhe ne nuk e mbrojmë aspak këtë skenar. Por si dëgjues të thjeshtë, kemi të drejtën të bëjmë edhe ne disa diferencime mes këngëve. Dhe e vërteta është se këtë vit ka pasur disa këngë që kanë spikatur për energjinë dhe emocionin që përcjellin.
Mes tyre, për mendimin tonë, diferencohet potenciali i Alis, por po aq duhet përmendur edhe Luna Çausholli, Sheila Haxhiraj, Tiri Gjoci apo Inis Neziri të cilat, nëse do të arrinin një interpretim “live” të denjw, do të ishin pretendente serioze për përfaqësim dinjitoz.
Gjithsesi, historia e Festivalit të Këngës na ka mësuar një gjë të rëndësishme: jo rrallë herë gjithçka përmbyset në skenë. Performancat “live” kanë surprizuar, kanë rrëzuar parashikime dhe kanë kthyer favoritët në humbës… dhe anasjelltas.
Prandaj, ndoshta do të ishte më e ndershme të linim muzikën të flasë vetë, pa verdikte të parakohshme, pa tema “të pranueshme” dhe “të papranueshme”, dhe pa bindjen se e vërteta dihet gjithmonë përpara se të këndohet nota e fundit. Suksese!/ Shkruar nga Bling Magazine

