Julian Deda ka reaguar pas zhurmës së krijuar rreth një faqeje në Instagram me emrin “ON/OFF TV”, e cila në javët e fundit kishte publikuar postime kritike dhe sulme ndaj disa figurave të njohura të televizioneve shqiptare, përfshirë edhe ish-kolegë të tij.
Faqja u çaktivizua, ndërsa menjëherë pas kësaj aktori reagoi përmes Instagram Story, duke mohuar kategorikisht se qëndron pas akuzave dhe pretendimeve të bëra.
“Është shumë e rëndë të dëgjosh apo të lexosh këto fjalë për mua. E përgënjeshtroj këtë fakt me gjithë fuqinë time. Nuk do guxoja kurrë ta bëja këtë, aq më tepër për vendet ku kam punuar dhe jetuar, aq më tepër për kolegët me të cilët kam punuar”, shkruan Deda.
Aktori shprehet se nuk ka shumë mënyra të tjera për t’iu përgjigjur këtyre pretendimeve përveçse t’i mohojë publikisht.
“Edhe njëherë, e përgënjeshtroj, se më shumë s’di ç’a të bëj, në këtë vend. Kush më beson mirë, kush nuk më beson s’kam ç’a bëj. Faleminderit për mirëkuptimin”, vijon ai.
Në një tjetër reagim, Deda iu përgjigj edhe pretendimeve se ka probleme me bixhozin.
“Tani dola edhe bixhozxhi…”, shkruan ai, duke vijuar me ironi se bixhozi është një “sport” për njerëz të pasur dhe shumë të pasur.
“Me këtë dua të them se sa do të doja të isha në këtë kategori, por fati e deshi të më linte jashtë”, shprehet aktori.
Deda thotë se nuk gjykon askënd që luan me paratë e veta, por kundërshton etiketimin e dikujt si “bixhozxhi” pa prova.
“Por t’i thuash dikujt bixhozxhi, duhet të sigurohesh mirë, që ta kesh me fakte, që personi fle në kazino”, shkruan ai.
Reagimi i Julian Dedës vjen pasi faqja “ON/OFF TV” tërhoqi vëmendje me postimet e saj ndaj personazheve të ekranit. Aktori, megjithatë, i mohon kategorikisht pretendimet dhe distancohet nga akuzat e bëra ndaj tij.

